Sipas kandidatit të AP-së në Vlorë, partia që përfaqëson komunitetin çam kërkon të vlerësohet jo mbi premtime por mbi aksionin real, të vlerësohet për parimet dhe objektivat e saj ndërsa premtojnë se do të jenë zëri i çamëve në Kuvend -

Numri 1 në listën e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Vlorës nga Partia Aleanca Popullore, Amos Dojaka, shprehet optimist se komuniteti çam i Vlorës do të ketë një përfaqësues të vetin në parlamentin e ardhshëm.

Cilat janë mashtrimet e Shpëtim Idrizit dhe pse Aleanca Popullore do ta çojë përpara aspiratën çame… Zoti Dojaka pse zgjodhët qarkun e Vlorës për të kandiduar?

Lidhja ime me Vlorën ka qenë e vjetër. Familja ime u zhvendos nga Çamëria në Sarandë në vitin 1920. Im atë lindi dhe u rrit në këtë qytet dhe Saranda për mua ka qenë gjithmonë shtëpia ime e dytë. Lidhja ime e hershme familjare u pasua nga një aktivitet i gjatë politik në këtë qark në funksion të çështjes çame. Gjatë këtij 20 vjeçari kemi organizuar dhjetëra aktivitete dhe takime, kemi trokitur në dyert e komunitetit tonë dhe së bashku me ta kemi përjetuar çdo zhvillim të këtij komuniteti. Ndërthurja e historikut dhe lidhjeve familjare me punën patriotike në funksion të Çamërisë më dhanë mundësinë të njoh dhe të bashkëpunoj ndër vite me qindra e mijëra patriotë e shqiptarë të ndershëm që më dhanë kurajo dhe më bënë të ndihesha komod me kandidaturën time në këtë qark. Jam djalë i këtij qarku dhe sot erdhi mundësia për t’u vënë në shërbim të tij dhe mijëra vëllezërve dhe motrave tanë kudo që gjenden ata. Në vitin 2009, komuniteti çam arriti të siguronte një mandat deputeti.

Këtë herë do të kemi dy mandate të ndarë nga ky komunitet apo çamët do të votojnë për ju?

Çamët gjithmonë kanë patur pritshmëri të mëdha për t’u përfaqësuar politikisht dhe për të përfituar si komunitet prej këtij përfaqësimi. Çamët kanë pasur kërkesa dhe objektiva të qartë, gurë themeli të cilat deri tani janë përdorur vetëm sa për të manipuluar ndjenjat e tyre. Kur flasim për mandate çamësh e rëndësishme është të flasim edhe për produktin e tyre. Cilësia e produktit politik dhe numri i përfituesve prej tij janë akoma më të rëndësishëm se numri sasior i mandateve në rast se komuniteti nuk përfiton asgjë prej tyre dhe i vetmi përfitim është xhepi personal. AP është këtu për të bërë një hap përpara si në nivelin e përfaqësimit, nivelin e fushatës dhe të prezantimit që të gjithë kandidatët tanë do të bëjnë në të gjithë vendin. Duke qenë afër komunitetit, mund t’ju siguroj se qarku i Vlorës do të dijë të vlerësojë dhe të nxjerrë një deputet çam dhe ai do të jetë deputeti i Aleancës Popullore.

Pse komuniteti çam duhet të votojë për Aleancën Popullore dhe jo për PDIU-në e Idrizit?

PDIU-ja e Idrizit duhet të përgjigjet përpara komunitetit se çfarë ndodhi dhe ku humbi studio angleze, e cila këto 4 vjet duhet të niste zgjidhjen e çështjes çame. Duhet të na tregojë fletoren zyrtare që është botuar Rezoluta që pretenduan se e ringjallën. Duhen të na tregojnë në këto 4 vjet se kush janë çamët që u punësuan, vlerësuan, kush përfitoi dhe pse. Kush ishin strukturat, kush i zgjodhi, kush përgjigjet përpara komunitetit dhe dhjetëra argume të tjera thelbësore si këto. Patën 4 vjet të tregojnë seç dinin të bënin dhe treguan se menduan vetëm për veten dhe xhepin e tyre duke i bërë një dëm të madh kauzës dhe komunitetit tonë. Komuniteti nuk mund t’i besojë disa njerëzve të cilët vijojnë të flasin si turistë dhe jo si njerëzit që realisht e patën në dorë fatin e tyre. Aleanca Popullore ka frymë dhe njerëz të rinj. Është parti e hapur, me vendimmarrje demokratike, njeh konceptin e llogaridhënies dhe të përgjegjshmërisë politike. Aleanca Popullore kërkon të vlerësohet jo mbi premtime por mbi aksionin real. Duhet të na vlerësojnë për parimet dhe objektivat tanë. Duhen të na vlerësojnë për cilësinë dhe seriozitetin e kandidatëve që AP i ofron votuesit shqiptar. Duhet ta na votojnë për afërsinë që kemi me zgjedhësit, njohjen reale të situatës dhe aftësinë tonë për t’i vënë shpatullat dhe zemrën, për të gjetur më së fundi pak paqe për të shkuarën tone të dhimbshme dhe gjetur zgjidhje reale për të ardhmen.

Cili është objektivi i AP-së për gjithë vendin?

Aleanca Popullore është përfaqësuar me kandidat serioz dhe me “background” profesional në të gjitha qarqet. Synimi është të performojnë, të sillemi dhe të përfitojmë votat e një partie serioze dhe të mirëorganizuar. Jemi këtu jo vetëm për të qenë pjesë fiktive e parlamentit por jemi për t’u bërë pjesë e qenësishme dhe jetësore e tij. AP do të jetë surpriza e zgjedhjeve të ardhshme dhe do të vijojë të jetë për shumë kohë pjesë e botës së politikës shqiptare. Ju jeni futur në aleancë me Partinë Socialiste, çka do të thotë se ky bashkëpunim do të jetë edhe pas zgjedhjeve.

Cilat janë postet apo pozicionet që AP do të synojë nesër në qeveri?

Komunitetit çam i mungon vetëm Çamëria. Jemi futur në aleancë me Partinë Socialiste së pari për të arritur dhe respektuar kushtet e marrëveshjes midis dy partive tona. Dua t’ju kujtoj se të dy palët kemi rënë dakord që: të materializojmë projekt-rezolutën e propozuar dhe publikuar së fundmi prej saj mbi çështjen çame, duke e përcjellë për miratim në Kuvend brenda vitit të parë të qeverisjes; Biem dakord që qeveria e ardhshme do të angazhohet në gjetjen e një zgjidhje me shtetin grek për të eliminuar pengesat që hasin qytetarët shqiptarë me origjinë çame për të qarkulluar lirisht në territorin grek, bazuar në rregullat dhe parimet e qarkullimit të lirë të vendosura nga BE; Biem dakord të çojmë përpara çështjen çame mbështetur në parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe vlerat e fqinjësisë së mirë, duke ndarë qartë e me dinjitet kombëtar objektivin e zgjidhjes së çështjes çame nga konsumi banal dhe shumë i dëmshëm i saj për interesat dritëshkurtra korruptive të politikës së ditës; Aleanca Popullore, si përfaqësuese e komunitetit çam, angazhohet të koordinojë veprimet e saj me Partinë Socialiste në funksion të arritjes së një rezultati maksimal gjatë zgjedhjeve dhe në qeverisjen e ardhshme në interes të popullit shqiptar dhe të integrimit europian. Këto janë çështjen tona parësore me të cilat ne nuk negociojmë dhe nuk heqim dorë deri në plotësimin e plotë të tyre. Pasi ky mekanizëm politik të vihet në lëvizje atëherë do të legjitimohemi të flasim edhe çështje të tjera, si punësimi, etj. Po me rezolutën çame çfarë do të ndodhë? Siç e theksova edhe më sipër do të materializojmë projekt-rezolutën dhe do ta përcjellim për miratim në Kuvend brenda vitit të parë të qeverisje duke u siguruar të kemi një konsensus të gjerë politik dhe përfshirë në aprovimin e saj të gjithë spektrin politik shqiptar.