Eshtë themeluar në Tiranë partia çame në Shqipëri. Ajo do të quhet “Aleanca Popullore”. Pas partisë së Shpëtim Idrizit PDIU, i cili para katër vjetësh u bashkua me partinë tjetër të çamëve, atë të Tahir Muhedinit PDI, tashmë realiteti politik shqiptar do të ketë një tjetër parti të këtij komuniteti në vend. Pa-kënaqësitë dhe konfliktet brenda komunitetit çam si dhe zvarritjet e rezolutës për rreth 4 vjet kanë bërë që një pjesë e këtij komuniteti anëtarë të ‘Lëvizjes Çame’ në vend të mblidhen dhe të krijojnë një parti tjetër për të bërë të mundur mbrojtjen dhe promovimin e ‘çështjes çame’. Një grupim prej 12 Partish, Shoqatash dhe grupe të tjera interesi të bashkuara nën drejtimin e Lëvizjes Çame, kanë krijuar tashmë një parti me emrin “Aleanca Popullore”.
Kryetar i Partisë Aleanca Popullore do të jetë Artur Dojaka. Aleanca Popullore është tashmë një parti politike e regjistruar në KQZ që në thelbin e vet ka mbrojtjen dhe promovimin e “Çështjes Kombëtare” dhe në veçanti çështjen çame. Gjatë një deklarate publike ky grupim politik ka thënë se, “të zhgënjyer nga vorbullat politike që nuk japin rezultate konkrete, duke mos dashur të humbim më kohë të vlefshme politike, ne marrim sot përsipër fatet tona. Në koordinim të plotë me faktorin politik ndërkombëtar, duke vlerësuar këshillat e tyre të vlefshme dhe ndjerë mbështetjen e tyre e plotë, ndihemi më të plotë se kurrë. Duke mos humbur kohë në gjetjen e identitetit tonë kaheve të politikës shqiptare por duke pasur si vet kah, Shqipërinë.
Me një mbështetje shumë të gjerë, së pari në komunitetin çam, e të bashkuar pa asnjë paragjykim më të gjithë ata që Atdheun kanë të parin, Aleanca Popullore shpall nisjen e fushatës së vet elektorale më synimin e vetëm, fitoren në zgjedhjet e ardhshme të 23 Qershorit”, thuhet në deklaratë. Kjo parti ka shpalosur dhe strategjinë e saj sa i përket zgjidhjes së çështjes çame, duke deklaruar se, “në një kohë kur kombi vjen gjithmonë mbrapa interesave politik, kur çështja çame nuk po njeh asnjë përparim, kur vet Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit të Shqipërisë krijon konfuzion duke e vënë shqiptarin e thjesht në pozicionin e tij më të vështire. Kon-fuzion i paprecedent në historinë e politikës moderne; vet Institucioni i Parlamentit është i paqartë nëse kemi një rezolutë të aprovuar apo jo.
Nëse dinjiteti ynë kombëtar ka arritur në atë pikë fundore të tijën sa për t`u shmangur përgjegjësive të momentin kërkojmë të ringjallim rezoluta të dështuara; kur Politika sot nuk ka kurajë qytetare që në një vendim unanim të pranoj me zë të lartë një realitet që ka të bëj me thelbin e konceptit të kombit shqiptar. Sigurojmë mbarë opinionin publik shqiptar që ‘Aleanca Popullore’ nuk tërhiqet nga kërkesa për votim unanim në Parlamentin e Shqipërisë të rezolutës për “çështjen çame”. Do ti kërkojmë çdo çami që e ndjen veten të papërfillur, të papërfaqësuar të bëhet pjesë e jona, do të shkojmë këto ditë te ato anëtarë të komunitetit tonë që nuk i bëri kush pjesë të vendimmarrjes dhe i la jashtë çdo benefiti politik e social. Do të dëgjojmë çdo zë, çdo ankesë, çdo shqiptar që ka një ide apo dëshirë. Aleanca Popullore do të ndërtoj marrëveshje me këdo që në thelbin e përpjekjeve të veta ka Shqipërinë”, përfundon deklarata e Kreut të AP-së, Artur Dojaka.